| Chapter 8 |
1 |
Pastaj Perëndisë iu kujtua Noeu, të gjitha gjallesat dhe tërë bagëtia që ishte me të në arkë; dhe Perëndia bëri që të fryjë një erë mbi tokë dhe ujërat e ulën lartësinë e tyre.
|
2 |
Burimet e humnerës dhe kataraktet e qiellit u mbyllën dhe shiu nga qielli pushoi.
|
3 |
Dhe ujërat vazhduan të tërhiqeshin nga toka; dhe mbas njëqind e pesëdhjetë ditësh ishin pakësuar.
|
4 |
Në muajin e shtatë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, arka u ndal në malet e Araratit.
|
5 |
Dhe ujërat vazhduan të pakësohen deri në muajin e dhjetë. Në muajin e dhjetë, ditën e parë të muajit, u dukën majat e maleve.
|
6 |
Kështu, mbas dyzet ditësh, ndodhi që Noeu hapi dritaren që kishte bërë në arkë,
|
7 |
dhe nisi jashtë korbin, që vazhdoi të shkojë para dhe prapa, deri sa u thanë ujërat mbi tokë.
|
8 |
Pastaj lëshoi pëllumbin për të parë në se ujërat ishin pakësuar mbi sipërfaqen e tokës.
|
9 |
Por pëllumbi nuk gjeti dot vendin ku të mbështeste këmbën e tij dhe u kthye përsëri në arkë, sepse kishte ende ujëra mbi sipërfaqen e tërë tokës; dhe ai shtriu dorën, e kapi dhe e tërhoqi brenda arkës.
|
10 |
Priti atëherë shtatë ditë të tjera, pastaj e dërgoi përsëri pëllumbin jashtë arkës.
|
11 |
Dhe pëllumbi u kthye tek ai aty nga mbrëmja; dhe ja, ai kishte në sqep një gjethe ulliri të këputur, të njomë; kështu Noeu kuptoi se ujërat ishin tërhequr nga toka.
|
12 |
Atëherë priti shtatë ditë të tjera, pastaj e lëshoi jashtë pëllumbin, por ky nuk u kthye më tek ai.
|
13 |
Në vitin e gjashtëqindenjëtë të Noeut, gjatë muajit të parë, në ditën e parë të muajit, ujërat ishin tharë mbi tokë; dhe Noeu e zbuloi arkën, vështroi dhe ja që sipërfaqja e tokës ishte e thatë.
|
14 |
Dhe kështu në muajin e dytë, në ditën e njëzet e shtatë të tij, toka ishte e thatë.
|
15 |
Atëherë Perëndia i foli Noeut, duke thënë:
|
16 |
"Dil nga arka ti, gruaja jote, bijtë e tu dhe gratë e bijve të tu bashkë me ty.
|
17 |
Nxirr me vete tërë kafshët që janë bashkë me ty, të çdo mishi që të jenë: zogj, bagëti dhe tërë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokë, me qëllim që të rriten shumë mbi tokë dhe të jenë pjellorë e të shumohen mbi tokë".
|
18 |
Kështu Noeu doli me bijtë e tij, me gruan e tij dhe me gratë e bijve të tij.
|
19 |
Të gjitha kafshët, të gjithë rrëshqanorët, të gjithë zogjtë, gjthçka lëviz mbi tokë, simbas familjeve të tyre, dolën nga arka.
|
20 |
Atëherë Noeu ndërtoi një altar për Zotin, mori nga çdo lloj kafshësh dhe zogjsh të pastër dhe ofroi fli mbi altarin.
|
21 |
Dhe Zoti ndjeu një erë të këndshme dhe ai tha në zemër të vet: "Unë nuk do ta mallkoj më tokën për shkak të njeriut, sepse synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij; dhe nuk do të godas më çdo gjallesë, siç kam bërë.
|
22 |
Deri sa të jetë toka, nuk do të pushojnë kurrë së ekzistuari mbjellja dhe korrja, të ftohtit dhe të nxehtit, vera dhe dimri, dita dhe nata.
|