| Chapter 3 |
1 |
Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij.
|
2 |
Kështu Jobi mori fjalën dhe tha:
|
3 |
"Humbtë dita në të cilën linda dhe nata që tha: "U ngjiz një mashkull!".
|
4 |
Ajo ditë u bëftë terr, mos u kujdesoftë për të Perëndia nga lart, dhe mos shkëlqeftë mbi të drita!
|
5 |
E marrshin përsëri terri dhe hija e vdekjes, qëndroftë mbi të një re, furtuna e ditës e tmerroftë!
|
6 |
Atë natë e marrtë terri, mos hyftë në ditët e vitit, mos hyftë në llogaritjen e muajve!
|
7 |
Po, ajo natë qoftë natë shterpe, mos depërtoftë në të asnjë britmë gëzimi.
|
8 |
E mallkofshin ata që mallkojnë ditën, ata që janë gati të zgjojnë Leviathanin.
|
9 |
U errësofshin yjet e muzgut të tij, le të presë dritën; por mos e pastë fare dhe mos paftë ditën që agon,
|
10 |
sepse nuk e mbylli portën e barkut të nënës sime dhe nuk ua fshehu dhembjen syve të mi.
|
11 |
Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj?
|
12 |
Pse vallë më kanë pritur gjunjët, dhe sisët për të pirë?
|
13 |
Po, tani do të dergjesha i qetë, do të flija dhe do të pushoja,
|
14 |
bashkë me mbretërit dhe me këshilltarët e dheut, që kanë ndërtuar për vete rrënoja të shkretuara,
|
15 |
ose bashkë me princat që kishin ar ose që mbushën me argjend pallatet e tyre.
|
16 |
Ose pse nuk qeshë si një dështim i fshehur, si fëmijët që nuk e kanë parë kurrë dritën?
|
17 |
Atje poshtë të këqinjtë nuk brengosen më, atje poshtë çlodhen të lodhurit.
|
18 |
Atje poshtë të burgosurit janë të qetë bashkë, dhe nuk e dëgjojnë më zërin e xhelatit.
|
19 |
Atje poshtë ka të vegjël dhe të mëdhenj, dhe skllavi është i lirë nga pronari i tij.
|
20 |
Pse t`i japësh dritë fatkeqit dhe jetën atij që ka shpirtin në hidhërim,
|
21 |
të cilët presin vdekjen që nuk vjen, dhe e kërkojnë më tepër se thesaret e fshehura;
|
22 |
gëzohen shumë dhe ngazëllojnë kur gjejnë varrin?
|
23 |
Pse të lindë një njeri rruga e të cilit është fshehur, dhe që Perëndia e ka rrethuar nga çdo anë?
|
24 |
Në vend që të ushqehem, unë psherëtij, dhe rënkimet e mia burojnë si uji.
|
25 |
Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh.
|
26 |
Nuk kam qetësi, nuk kam prehje, por më pushton shqetësimi".
|