| Chapter 34 |
1 |
Elihu nisi përsëri të flasë dhe tha:
|
2 |
"Dëgjoni, o njerëz të urtë, fjalët e mia, dhe ju, njerëz të ditur, ma vini veshin!
|
3 |
Sepse veshi i shqyrton fjalët, ashtu si qiellza i shijon ushqimet.
|
4 |
Le të zgjedhim ne vetë atë që është e drejtë të pranojmë midis nesh atë që është e mirë.
|
5 |
Sepse Jobi ka thënë: "Jam i drejtë, por Perëndia më ka hequr drejtësinë time.
|
6 |
A duhet të gënjej kundër drejtësisë sime? Plaga ime është e pashërueshme, megjithëse jam pa mëkat".
|
7 |
Kush është si Jobi, që e pi përqeshjen si ujin,
|
8 |
që ecën bashkë me keqbërësit dhe shkon bashkë me njerëzit e këqij?
|
9 |
Sepse ka thënë: "Nuk i vlen fare njeriut të vendosë kënaqësinë e tij te Perëndia".
|
10 |
Më dëgjoni, pra, o njerëz me mend! Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit!
|
11 |
Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprave të tij dhe secilin e bën të gjejë shpërblimin për sjelljen e tij.
|
12 |
Sigurisht Perëndia nuk kryen të keqen dhe i Plotfuqishmi nuk shtrembëron drejtësinë.
|
13 |
Kush i ka besuar kujdesin për tokën, ose kush e ka vendosur mbi tërë botën?
|
14 |
Në qoftë se Perëndia duhet të vendoste në zemër të vet të tërhiqte mbi vete Frymën e tij dhe frymën e tij,
|
15 |
çdo mish do të shkatërrohej njëkohësisht, dhe njeriu do të kthehej në pluhur.
|
16 |
Në qoftë se ke mend, dëgjoje këtë, vër veshin për të dëgjuar atë që po të them.
|
17 |
A mund të qeverisë ai që urren drejtësinë? A guxon ti të dënosh të Drejtin, të Fuqishmin?
|
18 |
Ai që i thotë një mbreti: "Je për t`u përbuzur" dhe princave: "Jeni të këqij".
|
19 |
Por ai nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij.
|
20 |
Në një çast ata vdesin; në mesin e natës njerëzia tronditet dhe zhduket, të fuqishmit çohen tutje pa dorë njeriu.
|
21 |
Sepse ai i mban sytë te rrugët e njeriut, dhe shikon tërë hapat e tij.
|
22 |
Nuk ka terr as hije vdekjeje, ku mund të fshihen njerëzit e këqij.
|
23 |
Në fakt Perëndia nuk ka nevojë ta kqyrë gjatë një njeri para se ta nxjerrë për gjykim para tij.
|
24 |
Ai i ligështon të fuqishmit pa bërë hetim dhe vë të tjerë në vendin e tyre.
|
25 |
Duke qenë se i njeh veprat e tyre, i rrëzon natën dhe ata shkatërrohen;
|
26 |
i godet si njerëz të këqij para syve të të gjithëve,
|
27 |
sepse janë larguar nga ai pa u kujdesur për rrugët e tij,
|
28 |
deri sa të arrijë tek ai britma e të varfrit, sepse ai dëgjon britmën e të pikëlluarve.
|
29 |
Kur Perëndia jep qetësinë, kush do ta dënojë? Kur fsheh fytyrën e tij, kush do të mund ta shikojë, qoftë kundër një kombi të tërë ose kundër një njeriu të vetëm,
|
30 |
për të penguar që i pabesi të mbretërojë dhe që populli të zihet ndër leqe?
|
31 |
Dikush mund t`i thotë Perëndisë: "Unë e mbart fajin tim, po nuk do ta bëj më të keqen;
|
32 |
tregomë atë që nuk arrij të shikoj; në rast se kam kryer ndonjë paudhësi, nuk do ta bëj më"?
|
33 |
A duhet të të shpërblejë ai në bazë të konditave të tua, sepse ti nuk pranon gjykimin e tij? Ti duhet të zgjedhësh dhe jo unë; prandaj thuaj atë që di.
|
34 |
Njerëzit me mend; si çdo njeri i urtë që më dëgjon, do të më thonë:
|
35 |
"Jobi flet pa mend, fjalët e tij nuk kanë dituri".
|
36 |
Le të provohet Jobi deri në fund, sepse përgjigjet e tij janë si ato të njerëzve të këqij,
|
37 |
sepse i shton mëkatit të tij revoltën, rreh duart mes nesh dhe i shumëzon fjalët e tij kundër Perëndisë".
|