| Chapter 84 |
1 |
Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive!
|
2 |
Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.
|
3 |
Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjëlit e saj pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im.
|
4 |
Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht. (Sela)
|
5 |
Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua!
|
6 |
Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime.
|
7 |
Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion.
|
8 |
O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela)
|
9 |
Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd.
|
10 |
Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve.
|
11 |
Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.
|
12 |
O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!
|