| Chapter 17 |
1 |
"Mëkati i Judës është shkruar me një stilo hekuri, është gërvishur me një majë diamanti mbi rrasën e zemrës së tyre dhe mbi brirët e altarëve tuaj.
|
2 |
Edhe djemtë e tyre mbajnë mend altarët dhe Asherimët e tyre pranë drurëve të gjelbër mbi kodrat e larta.
|
3 |
O mali im në ara, unë do t`ia braktis plaçkitjes pasuritë e tua, tërë thesaret e tu dhe vendet e tua të larta, për shkak të mëkatit që është i pranishëm në tërë territorin tënd.
|
4 |
Kështu për fajin tënd do të humbasësh trashëgiminë që të kisha dhënë dhe do të bëj që t`u shërbesh armiqve të tu në një vend që ti nuk e njeh, sepse keni ndezur një zjarr në zemërimin tim, që do të flakërojë gjithnjë".
|
5 |
Kështu thotë Zoti: "Mallkuar qoftë njeriu që ka besim te njeriu dhe e bën nga mishi krahun e tij, dhe zemra e të cilit largohet nga Zoti!
|
6 |
Ai do të jetë si një brukë në shkretëtirë; kur vjen e mira, nuk ka për ta parë. Do të banojë në vende të thata në shkretëtirë, në një tokë të kripur pa banorë.
|
7 |
Lum ai njeri që beson te Zoti dhe besimi i të cilit është Zoti!
|
8 |
Ai do të jetë si një pemë i mbjellë pranë ujit, që i shtrin rrënjët e tij gjatë lumit. Nuk do ta ndjejë kur vjen vapa dhe gjethet e tij do të mbeten të gjelbra; në vitin e thatësirës nuk do të ketë asnjë shqetësim dhe do të vazhdojë të mbajë fryte.
|
9 |
Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?
|
10 |
Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen për t`i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.
|
11 |
Kush fiton pasuri në mënyrë të padrejtë është si thëllëza që ngroh vezë që nuk i ka bërë vetë; në mes të ditëve të tij ka për t`i lënë dhe në fund do të gjendet i shushatur".
|
12 |
Froni i lavdisë së shkëlqyer që në fillim është vendi i shenjtërores sonë.
|
13 |
O Zot, shpresa e Izraelit, tërë ata që të braktisin do të turpërohen. "Ata që largohen nga unë do të jenë të shkruar në tokë, sepse e kanë braktisur Zotin, burimin e ujit të gjallë".
|
14 |
Shëromë, o Zot, dhe do të shërohem, shpëtomë dhe do të shpëtoj, sepse ti je lavdia ime.
|
15 |
Ja, ata më thonë: "Ku është fjala e Zotit? Le të realizohet tani!"
|
16 |
Megjithatë unë nuk refuzova të jem bariu i tyre duke të ndjekur ty, as dëshirova ditën e kobshme. Ti e di atë që doli nga goja ime, sepse bëhej në praninë tënde.
|
17 |
Mos u bëj për mua një frikë; ti je streha ime ditën e fatkeqësisë.
|
18 |
Qofshin të turpëruar përndjekësit e mi, por mos qofsha unë i turpëruar; qofshin të turpëruar ata, por mos qofsha i turpëruar unë; sill mbi ta ditën e fatkeqësisë dhe shkatërroji me një shkatërrim të dyfishtë!
|
19 |
Kështu më ka thënë Zoti: "Shko dhe ndalu te porta e bijve të popullit, nëpër të cilën hyjnë dhe dalin mbretërit e Judës dhe pranë të gjitha portave të Jeruzalemit,
|
20 |
dhe u thuaj atyre: Dëgjoni fjalën e Zotit, o mbretër të Judës, dhe tërë Juda dhe ju të gjithë banorë të Jeruzalemit, që hyni nëpër këto porta".
|
21 |
Kështu thotë Zoti: "Kujdesuni për veten tuaj dhe mos mbartni asnjë peshë dhe mos e futni nëpër portat e Jeruzalemit ditën e shtunë.
|
22 |
Mos mbartni asnjë peshë jashtë shtëpive tuaja dhe mos kryeni asnjë punë ditën e shtunë, por shenjtëroni ditën e shtunë, ashtu siç i kam urdhëruar etërit tuaj.
|
23 |
Por ata nuk dëgjuan as i vunë veshin, por ngurtësuan zverkun e tyre për të mos dëgjuar dhe për të mos pranuar mësime.
|
24 |
Kështu do të ndodhë që, në qoftë se do të dëgjoni me kujdes", thotë Zoti, "në rast se bëni që të mos hyjë asnjë peshë nëpër portat e këtij qyteti ditën e shtunë, por do ta shenjtëroni ditën e shtunë dhe nuk do të bëni asnjë punë gjatë asaj dite,
|
25 |
atëherë mbretërit dhe princat që rrinë ulur mbi fronin e Davidit do të hyjnë nga portat e këtij qyteti të hipur mbi qerre dhe mbi kuaj, ata, princat e tyre, njerëzit e Judës dhe banorët e Jeruzalemit; dhe ky qytet do të banohet përjetë.
|
26 |
Do të vijnë pastaj nga qytetet e Judës, nga rrethinat e Jeruzalemit, nga vendi i Beniaminit, nga ultësira, nga malet dhe nga Negevi, duke sjellë olokauste, flijime, blatime ushqimore dhe temjan dhe duke ofruar flijime falënderimi në shtëpinë e Zotit.
|
27 |
Por në rast se nuk do të më dëgjoni, duke shenjtëruar ditën e shtunë: duke mos mbartur pesha dhe duke mos i futur nëpër portat e Jeruzalemit ditën e shtunë, unë do të ndez një zjarr në portat e tij; ai do të përpijë pallatet e Jeruzalemit dhe nuk do të shuhet".
|