| Chapter 9 |
1 |
Ndërkaq Sauli, duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit, shkoi te kryeprifti,
|
2 |
dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente ndonjë ithtar të Udhës, burra o gra, të mund t`i sillte të lidhur në Jeruzalem.
|
3 |
Por ndodhi që, ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli.
|
4 |
Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: ``Saul, Saul, përse më përndjek?``.
|
5 |
Dhe ai tha: ``Kush je, Zot?``. Dhe Zoti tha: ``Unë jam Jezusi, që ti e përndjek; është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave``.
|
6 |
Atëherë ai, duke u dridhur i tëri dhe i trembur, tha: ``Zot, ç`don ti të bëj unë?``. Dhe Zoti: ``Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet ç`duhet të bësh``.
|
7 |
Dhe njerëzit që udhëtonin me të ndaluan të habitur, sepse dëgjonin tingullin e zërit, por nuk shikonin njeri.
|
8 |
Pastaj Sauli u çua nga toka, por, kur i çeli sytë, nuk shihte asnjeri; atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask.
|
9 |
Dhe mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri as piu.
|
10 |
Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: ``Anania!``. Dhe ai u përgjigj: ``Ja ku jam, Zot!``.
|
11 |
Dhe Zoti i tha: ``Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet;
|
12 |
ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t`ia kthyer dritën e syve``.
|
13 |
Atëherë Anania u përgjigj: ``O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem.
|
14 |
Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd``.
|
15 |
Por Zoti i tha: ``Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.
|
16 |
Sepse unë do t`i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim``.
|
17 |
Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: ``Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë``.
|
18 |
Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua.
|
19 |
Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask.
|
20 |
Dhe filloi menjëherë të predikojë Krishtin në sinagoga se ai është Biri i Perëndisë.
|
21 |
Dhe të gjithë ata që e dëgjonin çuditeshin dhe thoshnin: ``Po a nuk është ky ai që në Jeruzalem përndiqte të gjithë ata që e thërrisnin këtë emër, dhe ka ardhur këtu me synim që t`i çojë si robër te krerët e priftërinjve?``.
|
22 |
Por Sauli bëhej gjithnjë e më i fortë dhe i hutonte Judenjtë që banonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti.
|
23 |
Pas shumë ditësh, Judenjtë u konsultuan bashkë që ta vrasin.
|
24 |
Por komploti i tyre u mor vesh nga Sauli. Dhe ditë e natë ata i ruanin portat e qytetit që të mund ta vrisnin;
|
25 |
atëherë dishepujt e morën natën dhe e zbritën poshtë nga muri, në një shportë.
|
26 |
Si arriti në Jeruzalem, Sauli u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë nga ai, sepse nuk mund të besonin se ai ishte dishepull.
|
27 |
Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi tek apostujt, dhe u tregoi se si ai, gjatë udhëtimit, e kishte parë Zotin që i kishte folur, dhe si kishte folur në Damask lirshëm në emër të Jezusit.
|
28 |
Kështu ai qëndroi me ta në Jeruzalem, dhe shkonte e vinte, dhe fliste lirshëm në emër të Zotit Jezus.
|
29 |
Ai u fliste dhe diskutonte me helenistët, por ata kërkonin ta vrisnin.
|
30 |
Por vëllezërit, kur e morën vesh, e çuan në Cezare dhe që andej e nisën për në Tars.
|
31 |
Kështu në mbarë Judenë, në Galile dhe në Samari kishat kishin paqe dhe ndërtoheshin. Dhe duke ecur në druajtjen e Zotit dhe në ngushëllimin e Frymës së Shenjtë, shumoheshin.
|
32 |
Por ndodhi që, ndërsa Pjetri po e përshkonte gjithë vendin, erdhi edhe te shenjtorët që banonin në Lida.
|
33 |
Aty ai gjeti një njeri me emër Enea, i cili tashmë prej tetë vjetësh dergjej në shtrat, sepse ishte i paralizuar.
|
34 |
Pjetri i tha: ``Enea, Jezusi, Krishti, të shëron; çohu dhe ndreqe shtratin``. Dhe ai u ngrit menjëherë.
|
35 |
Dhe të gjithë banorët e Lidës dhe të Saronit e panë dhe u kthyen te Zoti.
|
36 |
Por në Jopë ishte një dishepull me emër Tabitha, që do të thotë Gazelë; ajo bënte shumë vepra të mira dhe jepte shumë lëmoshë.
|
37 |
Por në ato ditë ndodhi që ajo u sëmur dhe vdiq. Pasi e lanë, e vunë në një dhomë në katin e sipërm.
|
38 |
Dhe, duke qenë se Lida është afër Jopës, dishepujt, kur morën vesh se Pjetri ndodhej atje, i dërguan dy burra që ta lutnin të vijë tek ata pa vonesë.
|
39 |
Atëherë Pjetri u ngrit dhe u nis bashkë me ta. Sapo arriti, e çuan në dhomën lart; të gjitha gratë e veja i dolën atij duke qarë dhe i treguan tunikat dhe veshjet që kishte punuar Gazela, sa ishte bashkë me to.
|
40 |
Atëherë Pjetri, mbasi i nxori jashtë të gjithë, u ngjunjëzua dhe u lut. Pastaj iu kthye trupit dhe tha: ``Tabitha, çohu!``. Dhe ajo i hapi sytë dhe, si pa Pjetrin, u ngrit ndenjur.
|
41 |
Ai i dha dorën dhe e ndihmoi të ngrihet; dhe, si thirri shenjtorët dhe gratë e veja, ua tregoi të gjallë.
|
42 |
Kjo u muar vesh në mbarë Jopën, dhe shumë veta besuan në Zotin.
|
43 |
Dhe Pjetri qëndroi disa ditë në Jopë, në shtëpinë e njëfarë Simoni, regjës lëkurësh.
|